lajme

Pjesëmarrja në Davis Cup – 2018

Eshtë mbyllur turneu ekipor botëror Davis Cup “BNP Paribas” që ndryshe konsiderohet edhe kupa e botës në tennis i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit ITF. Ky turne për grupin ku Shqipëria merr pjesë u organizua në Plovdiv të Bullgarisë dhe në Ulqin. Ekipi ynë i zhvilloi ndeshjet në Bullgari dhe në përfundim të turneut u rendit i fundit pasi nuk arriti që të fitonte asnjë përballje.

Në fazën e grupeve, ekipi ynë kombëtar i cili përbëhej nga Arbër Sulstarova, Elbi Mjeshtri, Mario Zili dhe Genajd Shypheja që ishte njëkohësisht edhe kapiten i ekipit, zunë vendin e fundit në grup pas  përballjeve me Bullgarinë 0:3, Maqedoninë 0:3 dhe Islandën 1:2.

Në ndeshjen e fundit në play-off për vendin 7/8 kundër San Marinos, ekipi vajti me mungesa për shkak të dëmtimit të lojtarit kryesor i cili një vit më parë kontribuoi në atë fitore ndaj San Marinos. Mungesa në fjalë dhe lodhja e ekipit bëri që ekipi të mos shprehej tamam. Fitorja e supozuar në ndeshjen e fundit do të ndikonte që pozicioni i Shqipërisë në renditjen e kombeve të përmirësohej me 4 vende nga vendi i 122 që gjendet aktualisht ndërkohë që me rezultatet që publikohen javën në vijim, mund të humbi 5 vende.
Lojtarët dhanë maksimumin e tyre dhe morën atë që u takonte nga aktiviteti në fjalë duke respektuar aktivitetin dhe lojën.
Ekipet që u promovuan për një grup më lart nga ndeshjet e kryera në Playoff ishin Monako që fitoi ndaj Bullgarisë 2:1 dhe Mali i Zi që fitoi ndaj Maltës 3:0.