lajme

Tenis / Shqipëria synon mikpritjen e ndeshjeve të Kupës “Dejvis

ASNN – Federata Shqiptare e Tenisit synon që të fitojë vitin qëvjen të drejtën e organizimit në Tiranë të ndeshjeve të njërit prej grupeve të nivelit të 3-të të Kupës “Dejvis” 2019. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar zyrtarisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar burime pranë kësaj Federate, që kanë theksuar se kandidatura e Tiranës është ende në fazën e saj fillestare. Ai është turneu më prestigjioz i tenisit në botë dhe padyshim, për Shqipërinë mbetet ende një realitet i largët.

Turneu i skuadrave përfaqësuese, që njihet si “Dajvis Cup” e ka bërë tanimë prej disa vitesh pjesë të tij edhe tenisin kuqezi, ndonëse duhet theksuar se niveli i pjesëmarrjes për momentin mbetet ende tek përfaqësimi, më tepër sesa tek konkurrimi. Megjithatë, përtej aspektit sportiv, prej disa vitesh Tirana është shndërruar në destinacionin e një numri turnesh ndërkombëtarë, kryesisht të moshave. Kështu, në mjediset e “National Sport Park” në periferi të kryeqytetit janë zhvilluar turnetë të ndryshëm evropianë.

Të tillë si ato të grupmoshës së Nën-14, Nën-16 dhe Nën-18-vjeçarëve, ndërsa edhe në turnetë shqiptarë, të tillë “Albanian Open”, për sportistët aktivë apo edhe për veteranët, kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm tenistësh të huaj, kryesisht nga rajoni dhe Evropa. Megjithatë, Federata Shqiptare e Tenisit ka vendosur ta ngrejë edhe më lart stekën, duke synuar që të fitojë vitin që vjen të drejtën e organizimit në Tiranë të ndeshjeve të njërit prej grupeve të nivelit të 3-të të Kupës “Dejvis” 2019.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar zyrtarisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar burime pranë kësaj Federate, që kanë theksuar se kandidatura e Tiranës është ende në fazën e saj fillestare. Në rast të fitimit të kësaj të drejte, në Shqipëri do të vijnë vitin që vjen përfaqësueset e 8 vendeve të Evropës, për t’i zhvilluar këtu ndeshjet e grupit të tyre. Kjo nënkupton se afro 200 persona, tenistë, trajnerë, gjyqtarë, personel mjekësorë dhe zyrtarë do të zbarkojnë në kryeqytetin shqiptar për një periudhë 10-ditore.